Si të Zgjidhni një Licencë për Veprën Tuaj
Njerëzit shpesh na pyesin se cilën licencë rekomandojmë të përdorin për projektin e tyre. Kemi shkruar publikisht rreth kësaj më parë, por informacionet janë të shpërndara nëpër sprova të ndryshme, zëra PBR dhe komentime licencash. Ky artikull e grumbullon krejt atë informacion në një burim të vetëm, për ta bërë të lehtë për njerëzit ta ndjekin dhe t’i referohen më pas.
Këto rekomandime janë për punë të konceptuara të bëjnë punë praktike. Në to përfshihen software, dokumentim dhe gjëra të tjera. Vepra arti dhe vepra që pohojnë një pikëpamje, janë probleme të tjera; Projekti GNU nuk ka ndonjë qëndrim të përgjithshëm se si duhen hedhur ato në qarkullim, hiq faktin që duhet të jenë të tëra të përdorshme pa software jo të lirë (në veçanti, pa DRM). Sidoqoftë, mund të doni të ndiqni këto rekomandime për vepra arti që janë pjesë e një programi të veçantë.
Rekomandimet kanë vend për licencim të një vepre që krijoni - qoftë kur është modifikim i një vepre ekzistuese, apo një vepër origjinale. Nuk trajtojnë problemin e ndërthurjes së një materiali ekzistues nën licenca të ndryshme. Nëse po kërkoni për ndihmë rreth kësaj, ju lutemi, kontrolloni PBR tonat mbi GPL-në.
Pasi të shihni se ç’rekomandojmë këtu, nëse doni këshillë, mund të shkruani te <licensing@gnu.org>. Kini parasysh se gjasat janë që të duhen ca javë, që ekipi i licencimit të lidhet me ju; nëse nuk merrni përgjigje pas një muaji, ju lutemi, shkruajuni sërish.
Dhënie ndihmese te një projekt ekzistues
Kur kontribuoni te një projekt ekzistues, versionet tuaj të ndryshuar zakonisht duhet t’i hidhni në qarkullim nën të njëjtën licencë me veprën origjinale. Është gjë e mirë të bashkëpunohet me mirëmbajtësit e projektit dhe, duke përdorur një licencë tjetër për ndryshimet tuaja, shpesh e bën shumë të vështirë atë bashkëpunim. Këtë duhet ta bëni vetëm kur ka një arsye të fortë për ta përligjur.
Një rast kur mund të përligjet përdorimi i një licence tjetër, është kur bëni ndryshime të mëdha në një vepër nën një licencë non-copyleft. Nëse versioni që krijuat, është dukshëm më i dobishëm se origjinali, atëherë ia vlen ta kaloni veprën tuaj nën coyleft, për krejt po ato arsye pse rekomandojmë normalisht copyleft-in. Nëse jeni në një situatë të tillë, ju lutemi, ndiqni rekomandimet më poshtë për licencimin e një projekti të ri.
Nëse zgjidhni t’i hidhni në qarkullim kontributet tuaj nën një licencë tjetër, për çfarëdo arsye, duhet të garantoni që licenca origjinale lejon përdorim të materialit nën licencën që keni zgjedhur. Për hir të ndershmërisë, tregoni shprehimisht se nën cilën licencë gjenden cilat pjesë të veprës.
Software
Rekomandojmë licenca të ndryshme për projekte të ndryshëm, në varësi, më së shumti, të qëllimit të software-it. Në përgjithësi, rekomandojmë përdorimin e licencës copyleft më të fortë që nuk ndërhyn në atë qëllim. Sprova jonë “Ç’është Copyleft-i?” shpjegon më në hollësi konceptin e copyleft-it dhe pse është, në përgjithësi, strategjia më e mirë e licencimit.
Për shumicën e programeve, rekomandojmë të përdorni versionin më të ri të GNU General Public License (GPL), për projektin tuaj. Copyleft-i i saj i fortë është i përshtatshëm për krejt llojet e software-it dhe përfshin një numër mbrojtjesh për lirinë e përdoruesve. Për të lejuar përmirësime të ardhshme të licencës, ju lutemi, specifikoni “versioni 3 ose cilido i mëvonshëm”, që kështu programi juaj do të jetë me licencë të pajtueshme me kod që mund të hidhet në qarkullim, në të ardhmen, nën versione pasuese të GPL-së.
Ja ca më tepër këshilla rreth si të hidhet në qarkullim një program nën licencën GNU GPL.
Tani për përjashtime, kur është më mirë të përdoret ndonjë licencë tjetër, në vend se GNU GPL.
Programe të vegjël
Nuk ia vlen barra qiranë të përdoret copyleft-i për shumicën e programeve të vegjël. Përdorim 300 rreshta si kufirin tonë: kur kodi burim i një paketë është më i shkurtër se aq, përfitimet e sjella nga copyleft-i janë zakonisht shumë të vogla për të përligjur mundimin për të garantuar që një kopje e licencës shoqëron përherë software-in.
Për këto programe, ne rekomandojmë Apache License 2.0. Kjo është një licencë e dobët, dorëlëshuar, “pushover” (non-copyleft) software-i, që përmban kushte për të penguar kontribuesit dhe shpërndarësit të padisin dikë për shkelje patentash. Kjo nuk e bën software-in imun ndaj kërcënimesh prej patentash (asnjë licencë software-i s’mund ta arrijë këtë), por u pengon zotëruesve të patentave të ujdisin një “bait and switch”, në të cilin hedhin në qarkullim software sipas kushtesh të lira, mandej u kërkojnë marrësve të pajtohen me terma jo të lirë në një licencë patente.
Mes licencave të dobëta (pushover), Apache 2.0 është më e mira; ndaj nëse do të përdorni një licencë të dobët, cilado qoftë arsyeja, rekomandojmë të përdorni këtë.
Biblioteka
Për biblioteka, bëjmë dallimin mes tre lloj rastesh.
Disa biblioteka sendërtojnë formate të lirë të dhënash që konkurrojnë me formate të kufizuar të dhënash, bie fjala, Ogg Vorbis (që konkurron kundër audio në format MP3) dhe WebM (që konkurron kundër formatit video MPEG-4). Suksesi i formatit të lirë lyp të lejohen mjaft programe pronësore aplikacionesh të lidhen te kodi për të përdorur formatin. Për shembull, donin që lojtës jo të lirë media, veçanërisht pajisje, të përfshinin kodin për Ogg Vorbis, tej MP3.
Në këto raste speciale, nëse synoni të bindni zhvillues aplikacionesh pronësore të përdorin bibliotekën për formatin e lirë, do t’ju duhet ta bëni të lehtë këtë, duke e licencuar bibliotekën nën një licencë të dobët, të tillë si Apache License 2.0.
Por duhet të pranojmë se kjo strategji nuk pati sukses për Ogg Vorbis. Edhe pas ndryshimit të licencës së të drejtave të kopjimit për të lejuar përfshirje të kollajtë të kodit të asaj biblioteke në aplikacione pronësore, zhvilluesit e pronësorit, në përgjithësi, nuk e përfshinë. Sakrifica e bërë për zgjedhjen e licencës në fund të fundit na dha pako gjë.
Për krejt bibliotekat e tjera rekomandojmë ndonjë lloj copyleft-i. Nëse zhvilluesit përdorin tashmë një bibliotekë alternative të njohur mirë, të hedhur në qarkullim nën një licencë jo të lirë, ose një licence “pushover” dorëlëshuar, atëherë rekomandojmë të përdoret GNU Lesser General Public License (LGPL).
Ndryshe nga rasti i parë, kur biblioteka sendërton një standard sipëror nga pikëpamja etike, këtu, adoptimi në vetvete s’do të arrijë ndonjë objektiv special, ndaj s’ka arsye pse të shmanget tërësisht copyleft-i. Por, nëse u kërkoni zhvilluesve që përdorin bibliotekën tuaj t’i hedhin në qarkullim nën copyleft programet e tyre të plota, ata thjesht do të përdorin një nga alternativat e gatshme dhe as do të shpien më tej kauzën tonë. Licenca The Lesser GPL qe hartuar për të mbushur vendin e zbrazët mes këtyre rasteve, duke u lejuar zhvilluesve të software-it pronësor të përdorin bibliotekën e mbuluar, por duke dhënë një copyleft të dobët, që u lejon përdoruesve liri lidhur me vetë kodin e bibliotekës.
Për biblioteka që furnizojnë lehtësi të specializuara dhe të cilat nuk përballen me konkurrencë të rrënjosur jo copyleft apo jo të lirë, rekomandojmë të përdoret GNU GPL-ja. Për pse-të, lexoni “Pse s’duhet të përdorni Lesser GPL për bibliotekën tuaj të ardhme”.
Software Shërbyesi
Nëse gjasat janë që të tjerët do të krijojnë versione të përmirësuar të programit tuaj, për ta xhiruar në shërbyes dhe për të mos i dhënë versionet e tyre për këdo tjetër dhe ju jeni të shqetësuar se kjo do ta vërë në vështirësi versionin tuaj tashmë të hedhur në qarkullim, rekomandojmë GNU Affero General Public License (AGPL). Kushtet e AGPL-së janë thuajse identike me ato të GPL-së; dallimi i vetëm thelbësor është se ka një kusht shtesë, për të garantuar që njerëzit që përdorin software-in përmes rrjeti të jenë në gjendje të marrin kodin burim për të.
Domosdoshmëritë e AGPL-së nuk trajtojnë probleme që mund të dalin për përdorues, kur këta ia besojnë veprimtarinë kompjuterike apo të dhënat e tyre shërbyesit të dikujt tjetër. Për shembull, s’do të ndalin një Shërbim si Zëvendësim Software-i (SaaSS) t’u mohojë përdoruesve lirinë - por shumica e shërbyesve nuk ofrojnë SaaSS. Për më tepër rreth këtyre problemeve, lexoni “Pse Affero GPL-n”.
Dokumentim
Rekomandojmë GNU Free Documentation License (GFDL) për përkujdesore, doracakë referencë dhe të tjera punime dokumentimi. Është një licencë copyleft e fuqishme për punime edukative, shkruar fillimisht për doracakë software-i dhe përfshin kushte që trajton posaçërisht probleme të rëndomta që dalin kur këto punime shpërndahen ose ndryshohen.
Për vepra dokumentimi të shkurtra, dytësore, bie fjala një tabelë për referencë, është më mirë të përdoret licenca GNU all-permissive, ngaqë një kopje e GFDL-së zor se do ta nxinte një tabelë referencë. Mos përdorni CC-BY, ngaqë s’është e përputhshme me GFDL-në.
Për faqe man, rekomandojmë GFDL-në, nëse faqja është e gjatë dhe licencën GNU all-permissive, nëse është e shkurtër.
Disa dokumentime përmbajnë kod burim. Për shembull, një doracak për një gjuhë programimi mund të përfshijë shembuj për t’u ndjekur nga lexuesit. Duhet edhe t’i përfshini këto te doracaku nën kushtet e FDL-së, edhe t’i hidhni në qarkullim nën një tjetër licencë që është e përshtatshme për software. Kryerja e kësaj ndihmon të bëhet i lehtë përdorimi i kodit në projekte të tjera. Rekomandojmë që pjesë të vockla kodi t’i kaloni nën përkatësinë publike duke përdorur CC0 dhe të shpërndani pjesë më të mëdha nën të njëjtën licencë që përdor projekti software përkatës.
Të dhëna të tjera për programe
Kjo ndarjen diskuton krejt veprat e tjera për përdorim praktik, që mund të përfshini në software. Për t’ju dhënë ca shembuj, këtu përfshihen ikona dhe elementë të tjerë grafikë, funksionalë ose të dobishëm, shkronja dhe të dhëna gjeografike. Mundeni edhe t’i zbatoni për art, por s’do t’ju kritikojnë, nëse nuk e bëni.
Nëse po i krijoni këto vepra posaçërisht për përdorim me një projekt software-i, përgjithësisht rekomandojmë që punën tuaj ta hidhni në qarkullim nën të njëjtën licencë me software-in. S’ka problem se bëhet kështu me licencat që kemi rekomanduar: GPLv3, LGPLv3, AGPLv3 dhe GPLv2, që të tëra, mund të aplikohen mbi çfarëdo lloj punimi - jo thjesht software - mbi të cilin mund të aplikohen të drejta kopjimi dhe që ka një formë të qartë, të parapëlqyer për ndryshim. Përdorimi i të njëjtës licencë si software-i, do të ndihmojë që pajtueshmëria të bëhet më e lehtë për shpërndarësit dhe të shmangen probleme përputhshmërie. Përdorimi i një licence tjetër të lirë mund të jetë i përshtatshëm, nëse jep ndonjë përfitim praktik të dhënë, bie fjala, bashkëpunim më të mirë me të tjerë projekte të lirë.
Nëse punimi juaj nuk po krijohet për përdorim me një projekt të caktuar software-i, ose nëse s’do të ishte e përshtatshme të përdorej e njëjta licencë me projektin, atëherë rekomandojmë vetëm që të zgjidhni një licencë copyleft-i që është e përshtatshme për veprën tuaj. Kemi disa të tilla të radhitura te lista e licencave tona. Nëse asnjë licencë s’duket veçanërisht e përshtatshme, licenca Creative Commons Attribution-ShareAlike përfaqëson një copyleft që mund të përdoret për mjaft lloje të ndryshme veprash.
This page is maintained by the Free Software Foundation's Licensing and Compliance Lab. You can support our efforts by making a donation to the FSF.
You can use our publications to understand how GNU licenses work or help you advocate for free software, but they are not legal advice. The FSF cannot give legal advice. Legal advice is personalized advice from a lawyer who has agreed to work for you. Our answers address general questions and may not apply in your specific legal situation.
Have a question not answered here? Check out some of our other licensing resources or contact the Compliance Lab at licensing@fsf.org.
Për të parë nëse një licencë e dhënë është e lirë apo jo, shihni faqen tonë të listës së licencave dhe përkufizimin e software-it të lirë.